Nuk mund t’i ndalte as ky kundërshtar, dhe tani lavdia është më pranë. Bajerni u kualifikua për në finalen e Kupës së Gjermanisë, pas suksesit 2-1 ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit, duke realizuar një tjetër objektiv, e duke qenë brenda synimeve për sukses të plotë këtë sezon. Bavarezët, të lehtësuar, mund të mendojnë se mund ta fitojnë Kupën, ashtu siç thuajse e kanë të sigurt titullin në Bundesligë, ndërsa ëndrra e madhe quhet Champions.
“Fitorja ishte e merituar, por shumë e vështirë, – u shpreh Fliku, – ishte një ndeshje kupe, kundërshtari bëri presion shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që ia dolëm. Duhej t’i kishim shfrytëzuar më mirë shanset, por për fat jemi në një seri të madhe fitoresh dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu”.
Sa shumë kanë ndryshuar gjërat në vetëm pak muaj. Vjeshtën e kaluar, Bajerni u shkatërrua në fushën e rivalit të djeshëm, Frankfurtit, duke humbur 1-5 në ndeshjen e fundit të ish-trajnerit Niko Kovaç në stol. Ajo katastrofë pati pasojë emërimin e Hansi Flikut dhe tekniku i sotëm e shfrytëzoi rastin maksimalisht. Bavarezët po marshojnë që nga ajo kohë, duke iu afruar titullit të 8-të radhazi në kampionat.
Gjithsesi, tifozët pyesin me ngurrim e me shpresë, nëse Bajerni do të arrijë ta fitojë Championsin. Ecuria e deritanishme të bën të besosh se mund t’ia dalë, ndonëse rivalët si Barcelona, Mançester Siti, Paris SG apo edhe Reali nëse kualifikohet, mbeten të rrezikshëm. Tifozët me siguri janë lumturuar shumë kur edhe një personalitet si fituesi në fuqi i Championsit, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, e dha “votën” e tij për bavarezët.
“Skuadra më e mundshme për ta fituar këtë vit Ligën e Kampionëve më duket Bajerni, – theksoi gjermani – ata kanë lojtarë të shkëlqyer, një formë të shkëlqyer dhe një trajner shumë të mirë”. Për herë të fundit skuadra e Mynihut e arriti fitoren e trefishtë në vitin 2013, nën drejtimin e teknikut Jup Hajnkes, kur mori Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Championsin.
Sfidanti.al