MotoGP, publikohet kalendari i ri; nis nga Jerez në 19 korrik, 2 gara në Misano

Botërori i MotoGP përgatitet të ndezë motorët. Është publikuar kalendari i sezonit 2020 të këtij kampionati që do të nisë në Spanjë me 2 gara radhazi, ndërkohë që e reja për këtë kalendar është përfshirja e 2 garave në Misano Adriatico, ndërkohë që është anuluar Cmimi i Madh i Italisë në Mugello

Kalendari i ri pritet të ketë në total 17 gara, ndërkohë që është përpiluar ai i 13 garave evropiane. Botërori do të nisë në 19 korrik me Cmimin e Madh të Spanjës për të vijuar me atë të Andaluzisë në 26 korrik, të dyja këto gara do të mbahen në Jerez. Në 9 gusht do të jetë momenti për të ndjekur garën e Cekisë në Brno, përpara një dopiete tjetër; 2 garat që do të zhvillohen në pistën Spielberg në Austri.

Pas 2 javësh pushim do të jenë 2 gara të tjera radhazi këtë radhë në pistën Marco Simoncelli në Misano. Në 13 shtator do të zhvillohet Cmimi i Madh i San Marinos e Rivierës së Riminit, dhe 7 ditë më vonë Cmimi i Madh i Emilia-Romagnas dhe Rivierës së Riminit, gara që do të pasohen nga Cmimi i madh i Katalonjës në 27 shtator.

Pas një periudhe tjetër të shkurtër pushimi, në 11 tetor do të jetë gara e radhës në Francë që i paraprin dy garave në Aragon të Spanjës në 18 dhe 25 tetor. Pas këtyre dy garave, skuadrat nuk do të lëvizin nga Spanja, vetëm do të ndryshojnë lokalitet pasi në 8 dhe 15 nëntor do të garohet në pistën Ricardo Tormo të Valencias.

Pas kësaj tani pritet të merret një vendim për garat e SHBA, Argjentinës, tajlandës dhe Malajzisë, për të cilin afati i fundit është data 31 korrik.

Sfidanti.al