Mali i Zi vendosi të luajë pa tifozë, por ultrasit e thanë fjalën e tyre!

Në stadiumin nën Goricë duhej të dëgjoheshin vetëm thirrjet e trajnerëve, britmat e lojtarëve, dhe bilbili i arbitrit. U dëgjua më shumë se kaq, ndonëse edhe në Malin e Zi u mor vendimi që të luhej pa spektatorë. Një grup tifozësh të Buduçnostit të Podgoricës, padyshim pjesëtarë të tifo-grupit “Varvari” (Barbarët), shkelën me të dy ja këmbët masat e sigurisë, dhe u shfaqën në çatinë e njërës prej tribunave të stadiumit, me mjete piroteknike, me flakadanë, e duke thirrur për skuadrën e zemrës. Aksioni i tyre “guerril” përfundoi me aq, dhe ata u larguan, por vetëm pasi u bënë lajm.

Liga e Parë e Malit të Zi u luajt për herë të parë pas 2.5 muajsh, me të gjitha ndeshjet në mbrëmje, dhe pa spektatorë. Buduçnosti fitoi 1-0 ndaj Grbaljit në stadiumin e Podgoricës, me golin e shënuar nga Petar Grbiç. Me këtë sukses, podgoriçanët u shkëputën në 13 pikë nga vendi i dytë duke qenë shumë pranë titullit. Kampionia e dy sezoneve të fundit, Sutjeska, barazoi 3-3 në fushën e Komit.

Sfidanti.al