Si mund ta marrë Barça Lautaron? “Çelësat” i mban Njukasëlli për Kutinjon!

Endrra e madhe dihet, por nuk është e qartë sesi do të arrihet deri aty. Trajneri i Barcelonës, Kike Setien, dhe presidenti Bartomeu, dëshirojnë me patjetër që ta kënaqin Lionel Mesin me një përforcim të rëndësishëm në sulm, por duket se do të jetë tepër e vështirë për të marrë, jo vetëm Nejmarin, por edhe Lautaro Martinezin. Mediat italiane shkruajnë se Interi kërkon 80 deri në 90 milionë euro për kartonin e argjentinasit, dhe se katalanasit nuk i kanë këto para.

Mundësia e vetme për të arritur tek Lautaro është që të realizohet transferimi i Filip Kutinjos në një skuadër tjetër. Braziliani, i marrë për më shumë se 160 milionë euro nga Liverpuli, nuk ka qenë një sukses, ndaj edhe është huazuar tek Bajerni. Bavarezët nuk kanë ndërmend të paguajnë 90 milionë euro për kartonin e tij, por Barça ka shpresë se këtë gjë mund ta bëjnë në Angli. Për Kutinjon interesohej Çelsi, por tani ka dalë në skenë emri i klubit tjetër të Premier Ligës, Njukasëllit, që mund ta përballojë koston e lartë sepse aksionet mund të blihen nga familja mbretërore saudite.

Duke u kthyer tek Lautaro Martinezi, Interi e vlerëson kartonin e tij deri në 111 milionë euro, nga të cilat dëshiron deri në 90 milionë “kesh”, plus një lojtar të katalanasve. Zikaltërit mësohet se kanë hedhur poshtë një ofertë të Barcelonës prej 50 milionë eurosh, plus lojtarë në shkëmbim.

Sfidanti.al