Emri i Edinson Cavanit kohët e fundit është përmendur shpesh në zërat e merkatos së transferimeve. Sulmuesi uruguajan ishte shumë pranë kalimit te Atletico Madrid në muajin janar, por disa mosmarrëveshje përsa i përket pagës bënë që tratativat të dështojnë. Pas kësaj, Cavani filloi të fitojë vendin e tij në formacionin bazë të Paris Saint Germaini dhe tani po mendon për rinovimin e kontratës me 9 herë kampionët e Francës gjatë muajve të verës
Sipas të përditshmes franceze ‘L’Equipe’, uruguajani është gati të pranojë një ulje të pagës së tij me 40% për të vijuar aventurën te Paris Saint Germaini edhe në sezonin e ardhshëm. Mësohet se klubi parizien mund të heqë dorë nga Icardi për të cilin nuk ka ndërmend të ofrojë më shumë se 50 milionë Euro ndërkohë që klauzola me Interin është blerja e lojtarit me 70 milionë dhe të rinovojë me Cavanin, një opsion ky që do të ishte i pranueshëm nga transalpinët për të përballuar sezonin e ardhshëm duke pasur në radhët e tyre një sulmues që garanton shënimin e golave.
Cavani, kontrata e të cilit mbaron në 30 qershor, do ta zgjasë atë në mënyë automatike me një muaj për të luajtur fazën finale të Ligës së Kampioneve ku paris Saint Germaini është kualifikuar për në cerekfinale. FIFA i ka autorizuar futbollistët që janë në mbyllje të kontratave të tyre të përfundojnë sezonin me skuadrat e tyre respektive dhe Cavani do ta bëjë këtë vetëm për të luajtur kompeticionin më të rëndësishëm duke qenë se kampionati francez është mbyllur dhe do të rinisë në muajin gusht.
Sfidanti.al