Sormani i tronditur pasi ndoqi Bundesligën: Të “zeztë” lojtarë çdo të heqin!

Ishte dita e dytë e kampionëve në kompleksin e ndryshuar. Partizani u stërvit sërish në mëngjes në “Futboll Ripablik” (Football Republic) pranë Petrelës, dhe nuk pati sërish asnjë mungesë në apel. Gjithsesi, trajneri Adolfo Sormani, ia ka shumë frikën përfundimit të sezonit në këto kushte, ndërsa është “sy e veshë” nga qeveria për të mësuar se kur mund të rifillojë sezoni.

“Unë jam i mendimit se kjo është diçka që i takon qeverisë, nuk i takon institucioneve të futbollit, – u shpreh ai, – Nuk na takon ne që të zgjidhim. Kur të krijohen kushtet e duhura, atëherë kampionati duhet të rifillojë. Unë mund të shtoj se koha që kemi në dispozicion për t’u stërvitur është e vogël, dhe ndeshjet do të luhen në temperatura të larta, pra do të shoqërohen me shumë dëmtime. Në Gjermani, që në javën e parë të rifillimit, pati një numër të dëmtuarish të frikshëm”.

Kur konkurron ke edhe objektiva, pra çfarë synon Partizani në Superligë? “Situata është kaq e çuditshme sa që është shumë e vështirë të  bësh parashikime, – theksoi trajneri, – Është si të parashikosh diçka që nuk e ke provuar, nuk e ke jetuar kurrë më parë. Mendoj se do të jetë çështje motivimi dhe vullneti”.

Si paraqitet Partizani përsa i përket formës, në krahasim me rivalët?  “Duhet të di se çfarë kanë bërë të tjerët, – ishin fjalët e italianit, – Për momentin, mund të flas vetëm për çfarë kemi bërë ne. Padyshim, nëse ndonjë skuadër ka pasur mundësi të stërvitet në kushte më normale, duke pasur edhe topin, atëherë do të ketë avantazh, të paktën do të ketë më pak dëmtime, kjo është e sigurt”.

Një pyetje e pashmangshme, si është gjendja shëndetësore e lojtarëve, ndërsa dihet rreziku nga koronavirusi? “Këtë gjë duhet ta diskutoni me mjekun tonë, me stafin mjekësor, – nuk deshi të hapej ai, – Nuk jam në gjendje të bëj një vlerësim, dhe nuk është kompetenca ime që të flas për këtë. Mendoj se përderisa federata i ka dorëzuar një protokoll qeverisë, dhe kjo e fundit ka dhënë leje, do të thotë se të gjithë mund të jenë të sigurt me këtë protokoll. Shpresoj, të paktën”.

Sfidanti.al