Gjasula e Rashica, Bundesliga gjermane ka edhe dy personalitete shqiptare!

Do të jemi edhe ne në këtë start. Shqipëria dhe Kosova prezantohen me dy prej figurave të tyre në Bundesligën e Gjermanisë, kampionatin e parë ndër të mëdhenjtë që rikthehet në fushë. Tek Paderborni është Klaus Gjasula, mesfushori i kombëtares shqiptare, ndërsa tek Verderi i Bremenit bën pjesë ylli i sulmit të Kosovës, Milot Rashica. Kjo dyshe ia ka dalë të spikasë në 25 javët e luajtura deri tani në këtë ligë, duke marrë edhe vlerësime.

Gjasula cilësohet si “luftëtari”, një nga 7 lojtarët që vrapojnë më shumë në Bundesligë, padyshim maratonomaku numër 1 i Paderbornit. Ai ka shënuar edhe gola, ndërsa stili i tij i ashpër i lojës, i ka dhënë titullin e “mbretit” të kartonëve të verdhë. Ai ka marrë plot 12 të tillë gjatë këtij sezoni të kampionatit, për shkak të ndërhyrjeve të vendosura e pa kompromis.

Rashica është tjetër tip futbollisti. Tepër i talentuar, ai ka shënuar 7 gola e ka shërbyer 4 asistë në 20 ndeshje të luajtura këtë edicion. Kjo e bën realizuesin më të mirë të Verderit, ndërsa vetëm dy lojtarë të ekipit të tij janë vlerësuar me notë më të mirë se shqiptari i Kosovës. Për të, ky mund të jetë sezoni i fundit në Bremen, pasi Lajpcigu e kërkon po në Bundesligë, e Uolvesi në Premier Ligë, ndërsa Liverpuli duket sikur e ka ftohur interesin. Gjithsesi, Gjasula e Rashica do të luftojnë për mbijetesë. Verderi është në vendin e parafundit me 18 pikë, ndërsa Paderborni është i fundit me 16.

Sfidanti.al