Përse Murinjo po e bën sërish të frikshëm Mançester Junajtidin?

Titulli i fundit është fituar me Sër Aleks Fergusonin gati katër vjet më parë. Nuk kanë qenë të lumtur këto kohë tifozët e Mançester Junajtidit edhe pse majin e kaluar u fitua Kupa e Anglisë. Ata janë mësuar me tjetër gjë. Sezoni i dytë nën drejtimin e Zhoze Murinjos u duk se sërish do të plaste si flluskë sapuni, por ja që ka disa shenja inkurajuese. Nëse Çelsi, ish-ekipi i Murinjos, ka 12 fitore radhazi, Junajtid ka 11 ndeshje pa u mundur dhe pesë fitore “sërë”.

Emrat e yjeve tashmë po nisin të bindin, të paktën Zllatan Ibrahimoviç dhe Pol Pogba, pa harruar yllin në stol, vetë Zhozenë. Këto ditë, portugezi është shprehur se “unë doja që lojtarët e mi të shkonin dhe ta shikonin nga afër njeriun e madh (Sër Aleks Fergusonin), edhe unë kisha dëshirë ta shikoja, unë kënaqesha, por edhe ai kënaqej”. Paralelizmi është i qartë, Murinjo nuk ka dëshirë të krahasohet me kënd tjetër përveçse me më të madhin.

Kjo, po, që u jep shpresë tifozëve se më në fund Junajtid do të jetë sërish një klub i madh, jo vetëm në “defterët” e milionave, por edhe në fushën e lojës. Mediat britanike theksojnë se puna e Murinjos për të krijuar një skuadër po jep fryte, dhe se Pol Pogba ka ndryshuar plotësisht, duke u bërë vendimtar, Ibra po shënon gola rregullisht, dhe madje edhe Fil Xhons po merr zemër që të luajë si dikur Xhon Terri. Meqë futbolli është edhe psikologji, ky fakt është tepër i rëndësishëm. Ndoshta “djajtë e kuq” nuk e fitojnë dot titullin këtë vit (hera e parë që Mou nuk e fiton në sezonin e dytë), por gjithsesi “makineria” e “Old Trafordit” po rikthehet.

Sfidanti.al