Ardian Gjokaj, një shqiptar i Tuzit, drejtor sportiv “në mes të Beogradit”!

Nuk pati moshën dhe fatin që të luante në atë epokë. Një shqiptar i Malit të Zi, saktësisht i Tuzit, u bashkua shumë më vonë me Crvena Zvezdën, skuadrën ish-jugosllave dhe sot serbe, që u shpall kampione e Europës në 1991. Natyrisht, ishin vite të tjerë pa klasin e Saviçeviçit, Belodediçit, Pançevit, Prosineçkit, Mihajloviçit, apo djaloshit tjetër nga Tuzi, Refik Shabanaxhoviç, por gjithsesi, Ardian Gjokaj, e kujton si kohë të lumtur.

Ai veshi fanelën bardhekuqe në në 2005, ndërsa provoi shumë skuadra si lojtar në Mal të Zi, Serbi, Spanjë, Turqi apo Gjermani, ndërsa sot është drejtor sportiv në Beograd. Gazeta beogradase “Espreso” shkruan se Gjokaj është caktuar si drejtori sportiv i Radit të Beogradit, klubi me emër që përkthehet Puna, në shqip. Më herët, 40-vjeçari ishte gjithashtu drejtor sportiv te klubi tjetër i kryeqytetit, OFK Beograd, dikur klubi i rinisë.

Gjokaj thotë se pavarësisht problemeve me tifozët, që e kanë shoqëruar shpesh në Serbi, ai ka kujtime të lumtura nga Crvena Zvezda, ku e pritën shumë mirë, nuk e vunë kurrë në vështirësi, dhe e ndihmuan që të rritej si lojtar dhe si njeri. Edhe ai mbeti në kujtesën e tifozëve, edhe pse luajti pak, dhe njihet edhe sot e kësaj dite si “luftëtari i Zvezdës”. Gjokaj thotë se kaloi fëmijëri të vështirë në Tuz, dhe se futbolli e ndihmoi në jetë, ndonëse mosha e re nuk e lejoi të shfrytëzonte shansin e madh tek Majorka në Spanjë.

Sfidanti.al