Punë e madhe që kanë dalë 10 pozitivë deri tani. Bundesliga gjermane duket se do t’ia hedhë pa problem, vështirësive që kanë dalë me testimet, apo edhe shqetësimit prej videos së Salomon Kalusë, sepse pritet të ketë “dritë jeshile” për të rifilluar. Agjencia Rojter njofton se ka marrë informacion që kjo do të ndodhë në 15 maj, dhe ky informacion ka ardhur nga burime pranë Kancelares Angela Merkel.
Kreu i qeverisë pritet të vendosë në mesjavë, pra këtë të mërkurë, dhe mesa kuptohet do të jetë “pro” rinisjes së sezonit të futbollit, ashtu si edhe për sportet e tjera. Më herët, Bundesliga kishte marrë mbështetje nga ministri i brendshëm, Zehofer, i cili ishte shprehur në favor të luajtjes së ndeshjeve. Ky lajm, nëse do të jetë 100 për qind i vërtetë, përbën një lehtësim të madh për klubet e futbollit në Gjermani, të cilët po përpiqen me të gjitha mënyrat që të zhvillojnë pjesën e mbetur të sezonit, edhe pse pa spektatorë.
Qeveria gjermane do të kërkojë padyshim masa të rrepta sigurie, siç parashikohet në protokollin e përpiluar nga Liga e Futbollit, madje ministri Zehofer propozoi që të ketë karantinë për çdo skuadër, nëse një lojtar i saj del pozitiv, siç ndodhi me Këlnin, apo edhe me ndonjë ekip tjetër. Pas mbi 17000 testimeve, 10 dolën pozitivë, veçse kjo përbën vetëm 0.6 për qind të të gjithë të testuarve, një shifër tepër e ulët.
Sfidanti.al