Mbyllet gjyqi për “Kaizerin”, Bekenbaueri: Jam në paqe me ndërgjegjen!

Ka qenë “fanari ndriçues” i futbollit gjerman për dekada me radhë. Ndoshta lojtari më i mirë i botës mund të jetë Pele, Maradona apo Mesi, por madhështinë e Franc Bekenbauerit pakkush mund ta arrinte, dhe ajo thuajse u shkatërrua në vitin 2015, kur dolën në dritë dokumente për korrupsion në Kupën e Botës 2006. “Kaizer Franci” akuzohej se e kishte blerë organizimin e atij Botërori (që Gjermania nuk e fitoi dot), dhe bashkë me të i kaluan gjyqit edhe drejtuesit e asaj kohe të Federatës, Volfgang Nirsbah, Teo Cvanciger, e Horst Shmidt.

Sot, gjyqi është mbyllur pa sukses, sepse nuk pati prova të mjaftueshme për të shpallur fajtorë të akuzuarit, që gjithsesi kanë humbur postet dhe mjaft nga imazhi. Për Bekenbauerin gjyqi ishte mbyllur më parë, për shkak të problemeve me shëndetin, dhe tani, pasi u shpall i pafajshëm, gazetari i “Bildit”, Alfred Draksler, i telefonoi “Kaizerit”, të cilin e ka pasur gjithnjë mik, madje e mbrojti në 2015. Bekenbaueri, sot 74-vjeçar, jeton në Salcburg me familjen i tërhequr nga jeta publike. Ai pati dy operacione në zemër, ndërsa njëri sy i është sëmurur aq sa thuhet se nuk shikon fare me të. Kur, Draksleri i kërkoi intervistë, “Kaizeri” refuzoi dhe tha: “Unë jam në paqe me ndërgjegjen time”!

Në karrierë fitoi Kupën e Botës si lojtar në 1974, Kampionatin Europian në 1972, tri herë Championsin me Bajernin, si dhe shumë kampionate e kupa të Gjermanisë. Po ashtu, fitoi Kupën e Botës si trajner i Gjermanisë në 1990, si dhe trofe me Bajernin.

Sfidanti.al