F1, gara pa publik, organizatorët kërkojnë rinegocim me Liberty Media

Formula 1 po mendohet të rinisë me dyer të mbyllura edhe pse dëmi ekonomik do të jetë shumë i madh për drejtuesit e pistave. Pikërisht për këtë arsye, del e nevojshme që kontratat e akordeve mes disa prej organizatorëve të garave dhe Liberty Medias të rinegociohen. Ai që e shpjegoi këtë ishte Drejtori i Përgjithshëm i pistës së Barcelonës, Joan Fontsere

‘Liberty Media është e ndërgjegjshme se nëse garat do të zhvillohen pa publik, kontratat e promotorëve të eventeve do të duhet që të rinegociohen në një farë mënyre-tha Fontsere-janë të ndërgjegjshëm se kjo është një situatë e jashtëzakonshme. Nëse duam të vijojmë me disa gara për shkak të të drejtave televizive, për shkak të skuadrave, e dinë që kontributi ynë ekonomik do të jetë i reduktuar, e kuptonjnë se këtë vit do të ndodhë kështu’

Fontsere theksoi  gjithashtu se organizatorët e Cmimit të Madh të Spanjës në këtë moment nuk po marrin parasysh as idenë e zhvillimit të një gare pa tifozë në Barcelonë dhe shtoi se nuk do të jenë vetëm të ardhurat nga shitjet e biletave ato që do të ndjejnë pasojat e zhvillimit të garës me tribunat bosh dhe pa zonat e pritjes së tifozëve

‘Kur qeveria katalanase investon në Formula 1 këtë nuk e bën vetëm për shitjet e biletave që realizojmë, por edhe për impaktin financiar që eventi ka në Katalonjë-vijoi Fontsere-impakti ekonomik në vend do të jetë shumë I reduktuar. Duhet ndryshuar i gjithë akordi mes të dy palëve’.

Fontsere deklaroi se ka marrë disa telefonata nga Shefi Ekzekutiv i Formula 1, Chase Carey për të diskutuar për zgjidhjet e mundshme për Cmimin e Madh të Spanjës. Vetë Carey ka deklaruar se po tentohet që të vihet numri më i madh i mundshëm i garave në kalendarin e këtij viti, por është ende shumë shpejt për të ditur se kur do të nisë me të vërtetë sezoni I Formula 1; në verë apo në vjeshtë.

Sfidanti.al