Doni Lautaron? Atëherë na jepni Griezmannin! Barcelona këmbëngul për të sjellë në Camp Nou sulmuesin e Interit. Nga ana e tij klubi zikaltër, nuk dëshiron të privohet nga një lojtar I rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen dhe arrin deri aty sa të ‘provokojë’ spanjollët. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja italiane ‘Gazzetta Dello Sport’, Interi kërkon sulmuesin francez që u transferua te Barcelona vetëm verën e kaluar për 120 milionë Euro.
Në fakt deri tani emri I Griezmann nuk është përmendur asnjëherë si element që mund të përfshihet në tratativa për të ‘amortizuar’ vlerën prej 111 milionë Euro të klauzolës e për ta shkëmbyer me Lautaro Martinez. Por në orët e fundit u shfaq edhe kjo ide për shkëmbimin mes dy sulmuesve; një operacion I komplikuar ky po të marrësh në konsideratë vullnetin e vetë Lautaro Martinez për të qëndruar te Interi, pavarësisht dëshirës së tij për të luajtur përkrah Messit. Një tjetër pengesë e madhe në këtë cështje është edhe paga e lartë e Griezmann, 17 milionë Euro në sezon, shifër kjo e vështirë për t’u përballuar nga klubi milanez.
Duke qëndruar në aksin Barcelonë-Milano, nga Spanja vjen lajmi që flet për rifillimin e punës së Interit për të sjellë në Serie A, Arturo Vidal, një dëshirë e vjetër e Antonio Contes që e kërkon ta ketë kilianin sërish nën urdhrat e tij, ‘Inter e Vidal kanë nisur tratativat-publikohet te e përditshmja ‘Sport’. Barcelona dëshiron ta përfshijë mesfushorin në tratativa për të arritur te Lautaro Martinez, por Interi nuk do t’ia dijë dhe këmbëngul në mbylljen e tratativave për Vidal vecmas.
Sfidanti.al