Ka mbetur në kujtesën e tifozëve që prej fundit të viteve 80-të kur veshi fanelën verdhekuqe. Rudi Fëler nuk ishte vetëm një legjendë e Gjermanisë Perëndimore, e më pas e asaj të bashkuar, por edhe e klubeve si Kikers Ofenbah, TSV 1860 Mynih, Verder Bremen, Roma apo Olimpik Marsejë. Pikërisht klubi italian i bëri një urim shumë të veçantë ish-sulmuesit dinak dhe “prodhimtar” me gola: “Fluturo gjerman, fluturo” (Vola, tedesco, vola)!
E gjithë bota e futbollit i bën urimet e merituara futbollistit shembullor që fitoi shumë në karrierë, mbi të gjitha Kupën e Botës me Gjermaninë në 1990 (në Romë!) dhe Championsin me Marsejën në 1993 (në Gjermani)! Natyrisht, nuk mund ta harronte klubi i tij i sotëm, Bajer Leverkusen, ku Fëleri është një drejtues i lartë dhe i suksesshëm. Mediat gjermane, franceze dhe italiane “zunë radhë” kush e kush t’i bënte “kartolinën” më të bukur. “Bildi” njofton se lojtari që pati 90 ndeshje me kombëtaren, do ta festojë ditëlindjen me familjen në shtëpinë e tyre në Dyseldorf.
Sfidanti.al