Jemi në Gjermaninë që dikur quhej Lindore, në një nga qytetet më historikë të vendit. Sot, Lajpcigu njihet më shumë nga skuadra e Red Bullit kur vjen puna tek futbolli, por vendasit e dinë mirë se ekziston edhe një tjetër klub, madje tepër historik, Lokomotiva. Dikur quhej VfB Lajpcig, ajo që u bë skuadra e parë kampione e Gjermanisë që në vitin tashmë të largët 1903. Sot, Lokomotiva është në kategorinë e katërt, në Ligën Rajonale Verilindore, ndonëse lufton për t’u ngjitur në kategorinë e tretë, ndërsa u vlerësua lart në Gjermani për iniciativën e fundit.
Duke mos pasur financa të fuqishme, dhe duke qenë e goditur nga koronavirusi, Lokomotiva vendosi të shiste mbi 126 000 bileta, me çmim nga një euro, për një ndeshje virtuale me një “kundërshtar të panjohur”, tani në kohën e karantinës. Kjo do të thotë se u mblodhën po kaq euro, për të mbuluar shpenzimet operative të klubit, ndërsa futbolli në Gjermani ka ndaluar plotësisht. “Lajpcigu ka Red Bullin, por Lokomotiva ka zemrën” shkruajtën mediat gjermane.
Sfidanti.al