“Barcelona, në prag të falimentimit dhe degjenerimit moral!”

Sezoni nuk mund të quhet ende shumë i keq, por gjithsesi, atmosfera është e rëndë. Barcelona është vërtet klubi më i madh i futbollit për shekullin e 21-të, me buxhetin më të lartë dhe yje të shkëlqyer, por paralajmërimet janë që ndodhet në prag të katastrofës. Kandidati për president, Viktor Font, është shpehur se për shkak të drejtimit të keq të liderit të tanishëm, Bartomeut, katalanasit ndodhet pranë falimentimit financiar dhe një degjenerimi moral.

Këto akuza vijnë pak ditë pasi 6 anëtarë të bordit dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, duke kritikuar pikërisht presidentin Bartomeu. Ky i fundit sulmohet për paaftësi në drejtimin financiar, për politikë të gabuar për ndërtimin e skuadrës, dhe sidomos akuzohet se ka paguar kompani lobimi për të nxirë imazhin e yjeve kryesorë të ekipit, si Lionel Mesi, Gerard Pike apo të tjerë.

Bartomeu ka hedhur poshtë gjithçka, duke e quajtur një gënjeshtër, por kriza në klub është krejtësisht e hapur edhe me qendrimet publike të Mesit. Kapiteni ka sulmuar dy herë klubin, herën e parë pas fjalëve të drejtorit sportiv, Abidal, kur u shkarkua ish-trajneri Valverde, dhe u mor tekniku i tanishëm, Kike Setien.

Së fundmi, argjentinasi shpërtheu kur lajmëroi uljen vullnetare të pagës me 70 për qind, për të dhe skuadrën, duke sulmuar krerët e klubit se po i trajtojnë keq futbollistët. Barcelona mbetet ende në garë për të fituar titullin kampion në La Liga, duke qenë në vend të parë, e po ashtu është në pozita të mira në Champions, por gjendja është pak të quhet negative.

Sfidanti.al