Ishte tepër i ri dhe karrierën e kishte përpara. Ndoshta do të realizonte ndonjë kalim në futbollin e madh të Europës, por nuk qe e thënë që kjo të ndodhte për 20-vjeçarin Eduin Spinoza. Ishte vetë klubi i tij, Guajakili, që njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale lajmin tragjik, duke sqaruar se mesfushori ishte një lojtar shumë i mirë dhe një djalë model, i respektuar dhe i edukuar. Ngjarja, sipas mediave ekuadoriane, ndodhi në shtëpinë e tij në lagjen popullore, Isla Trinitaria, ku futbollisti ishte i izoluar në kushte karantine për shkak të koronavirusit, ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë në vend.
Policia njofton se ka marrë kontakt me familjen e të ndjerit për të mësuar më shumë për rrethanat e vrasjes. Gjithsesi, një version është që autorët e krimit duhet ta kenë ngatërruar Spinozën me dikë tjetër, ndërsa e kanë qëlluar me shumë plumba. Guajakili është qyteti më i prekur i Ekuadorit nga koronavirusi, dhe gjendja është e vështirë për shkak problemeve në sistemin shëndetësor. Një vit më parë, vendi i Amerikës Latine u trondit nga një tjetër vrasje, pasi iu bë atentat Hozë Kinjonezit të Independiente Zhuniorsit.
Sfidanti.al