Edhe pse Pandemia e ka tredhur futbollin nga paratë , i ka mbyllur gojën dhe i ka lidhur këmbët, edhe pse i ka veshur dorashkat e bardha të zonjave, prapëseprapë, nuk mund të thuhet se loja ka vdekur nga të gjitha anët. Kjo është kohë ideale për të ushtruar futbollin e folur, futbollin që kur hallet tregohen nga brënda shtëpisë, ndryshon edhe raporti i së vërtetës me hipokrizinë. Madje , në kohën Covidit 19-të, kjo “ndeshje” nuk është e trukuar dhe aktorët nuk bëjnë gjasme, sepse ka një arsye madhore.. luhet për mbijetesë dhe në kushte të tilla, fjalët nuk dalin nga goja, por nga shpirti.
Pra, më në fund, le të besojmë se shteti politik dhe “shteti i futbollit” nuk janë më bashkë në krevat, nuk çfitohen më për puthje stadiumesh, si në kohën para Covidit. Dhe kur dashuritë e mëdha infektohen, nuk ka zot që beson tek tamponi apo të bllokon gojën me maskë. Ndaj, këto ditë prishjeje, ka më shumë tradhëti sesa epidemi, aq sa kemi dëgjuar shpesh se “shteti i futbollit” e vrau lepurin e frikes , e injoron shtetin e politikës. Goja e futbollit, s’mabhet mend më parë, nëse ka qenë kaq e madhe sa të thotë se Shteti na braktisi, na ktheu kurrizin, madje Shteti edhe na mashtroi edhe për.. Ligjin e Sportit. Mallkuar qoftë ajo ditë altari , kur gjithë presidentët dhe zoti Rama “i zgjidhën” hallet brënda një nate, lëshuan fishekzjarre nga ekrani, si për një ditë historike.. edhe pse e kishin lënë qysh më parë se ..ndeshja do të ishte pa gola! Ajo ditë do të kujtohet si dita e fundit e intrigës! Kishte momente historike, sidomos nga orgazma zyrtare, sepse kur fliste presidenti Duka, dhe kthente kokën nga Rama, me një pozë të atillë që detyrimisht nxiste mëdyshjen : po cili nga këta është kryeministri ? Ishte shkrirë aq shumë çifti, sa çunat e futbollit që gjurmonin çiftin në këtë takim, besonin se ishin faraonë dhe jo..fasonë !
Sfidanti.al