Nuk përballoi hijen e vdekjes, vetëvritet doktori i Reimsit, i sëmurë me korona!

Është një njeri i vetëm, në statistikë diçka që nuk vlen shumë dhe nuk na bën dot pesimistë për përhapjen e epidemisë, por gjithsesi dëshpërimi është i thellë për një jetë më pak. Doktori i skuadrës franceze, Reims, i quajtur Bernar Gonzales, i dha fund jetës pasi ndodhej i sëmurë me koronavirus. Gonzalesi ishte 60 vjeç dhe, ose gjendja e vetvetes iu duk e pashpresë, ose nuk pati nerva të forta përtë përballuar luftën me sëmundjen. Lajmin e dha e para gazeta franceze “Lë Parizien”, dhe pastaj i bënë jehonë mediat e gjithë botës.

Doktori i ndjerë ishte i izoluar në shtëpi, së bashku me gruan, ndërsa përpara vetëvrasjes la një letër për të shpjeguar arsyet se përse e bëri veprimin fatal. “Mendoj për prindërit e tij, për gruan dhe për familjen e tij, – reagoi kryebashkiaku i qytetit, Arno Robine (Arnaud Robinet), – një tjetër viktimë e Kovid-19-ës”. “Më informoi presidenti, – u shpreh trajneri i Reimsit, – është shumë e vështirë për mua që të flas për këtë. Jemi të tronditur”. Më pas, klubi i Reimsit e konfirmoi lajmin.

Sfidanti.al