Imazhi i klubeve të ligës më të fortë të futbollit në botë ka rënë përtokë këto ditë, për shkak të mënyrës sesi po e menaxhojnë krizën e koronavirusit, por të paktën ka një përjashtim (tani për tani). Mançester Siti lajmëroi zyrtarisht se nuk ka ndërmend të nxjerrë në asistencë punonjësit e tij të administratës, apo stafet teknike që punojnë në akademi, dhe që kanë rroga normale, pra shumë më të ulëta sesa yjet e ekipit të parë.
Një “të lumtë” doli nga “goja” e gjithë mediave britanike pas lajmit të dhënë nga klubi i zotëruar nga sheikët e Lindjes së Mesme, ndërsa zhgënjimi është i madh për të tillë si Totenhemi, Njukasëlli, Bornmuthi, Noruiçi, madje edhe vetë Liverpuli i shquar. Ky i fundit, kampion i Europës në fuqi dhe kryesues i shkëputur i Premier Ligës, papritur vendosi të nxirrte në asistencë shumë punonjës, edhe pse kënga e tifozëve thotë “ju nuk do të jeni kurrë vetëm”, dhe ndonëse kishte pasur fitime të mëdha sezonin e fundit.
Një nga zyrtarët e lartë të Sitit, Omar Berrada, ia dha njoftimin qindra punonjësve të klubit. “Ne nuk do të shfrytëzojmë skemën e qeverisë britanike për asistencën e punonjësve tanë, – deklaroi një zëdhënës, – ne mund ta konfirmojmë këtë gjë”. Me këtë veprim, blutë e Mançesterit i ngjajnë klubeve gjermane, që gjithashtu nuk kanë nxjerrë punonjës në asistencë. Liverpuli, ndërkaq, ka pasur kritika të mëdha nga ish-lojtarë si Xhemi Karrager apo Ditmar Haman, ndërsa një grupim i tifozëve i ka kërkuar “hesap” klubit. Kritika edhe për trajnerin Jurgen Klop, që nuk duhej ta kishte pranuar këtë gjë.
Sfidanti.al