Trajneri i Bornmuthit, i pari në Angli që ul rrogën e tij vullnetarisht!

E ndjeu vetë se paga e tanishme “i rri pak ngushtë”, dhe e hodhi vetë hapin që mendoi si të drejtë. Trajneri i Bornmuthit, Edi Houi, një njeri që paguhet jo pak, por plot 4 milionë paundë stërlina në vit, vendosi t’i ulte rrogën vetes, dhe sipas gazetave britanike ulja do të jetë e ndjeshme. Kjo vjen për gjithë periudhën e krizës së koronavirusit. Bashkë me të, edhe njerëz të tjerë të stafit si drejtori teknik i skuadrës së parë Neill Blejk, dhe ndihmëstrajneri Xhejzën Tajndëll.

“Klubi ka nxjerrë në pushim me pagesë 50 punonjës, – u shpreh Houi, – dhe ne duhet të mendojmë për sigurinë e tij. Kjo nuk vlen vetëm për futbollin, por për të gjitha bizneset”. Qeveria britanike ka premtuar se do të garantojë 80 për qind të rrogës së punonjësve, ndërsa ata nxirren me leje, përderisa nuk mund të punohet në kushte pandemie, dhe për momentin kjo do të ndodhë për 3-4 muajt e parë, me shpresë që gjithçka të kthehet në normalitet. Houi është i pari profesionist i Premier Ligës që e hedh këtë hap, ndërsa deri tani asnjë lojtar, asnjë trajner tjetër dhe asnjë shef i madh nuk e ka bërë diçka të tillë.

Sfidanti.al