Sergio Aguero është padiskutim ylli më i rëndësishëm i Mançester Sitit, veçse kur aty luajti për disa kohë Frenk Lampard, ky qe dëshmitar i një sjelljeje jo shumë normale të argjentinasit. Mesfushori anglez tregoi se Aguero vinte shpesh vonë në stërvitje, deri në 5 minuta pas shokëve, dhe nuk e çante kokën që merrte gjoba. Lampard ishte ftuar në një emision të televizionit Skaj, së bashku me Xhon Terrin, dhe mes të tjerave foli edhe për periudhën e kaluar tek Siti, në sezonin 2014-2015. Si një ish-lojtar i Çelsit, ai nuk deshi të fliste për ato që ndodhnin tek blutë, por vendosi të tregonte për “qytetarët”.
Kush merrte më shumë gjoba tek Çelsi, ishte pyetja, ndërsa Lamps u përgjigj se “tek Çelsi nuk e mbaj mend, por po kaloj tek Siti”. Më pas, tregoi historitë e Kun Agueros. “Trajnerët i thoshin “u gjobite”, ai u përgjigjej “pa problem, të shtunën do shënoj 3 gola dhe të gjithë do të jenë të lumtur””.
Lampard dhe Terri u pyetën edhe se cili ishte trajneri i tyre i preferuar dhe ata, që të dy, veçuan Murinjon dhe Ançelotin. “Murinjo solli risi të mëdha tek ne, – tha Lampard, – gjithë puna ishte me top, jo me vrap, ndërsa Ançeloti ishte një njeri i mrekullueshëm që të bënte të ndiheshe shumë mirë çdo ditë”.