Bakaj si një “UFO”, shqiptari zbret në fushë në kohën e koronavirusit!

Ndoshta nuk e dinte se ndodhej në një vend që nuk dëshiron ta ndalojë futbollin në çfarëdo rrethane. Elis Bakaj prej dy muajsh është pjesë e Dinamos së Brestit, një vazhdim karriere në Bjellorusi, dhe lojtari shqiptar doli në fushë një ditë më parë, pavarësisht nga rreziku i koronavirusit. Në republikën ish-sovjetike nisi sezoni i ri i Premier Ligës, dhe në javën e parë, Dinamo e Brestit pati të ftuar Smoleviçin.

Stadiumi me kapacitet mbi 10 000 spektatorë, nuk ishte plot, por gjithsesi gjithçka nisi normalisht, me mijëra tifozë në tribuna, dhe me vendimin e Federatës për të luajtur, nxitur nga qendrimi i presidentit Lukashenko. Bakaj ishte titular në ekipin e tij të ri, dhe u dallua mjaft, ndonëse në fund u detyrua të kënaqej me barazimin.

Ai u vlerësua si një nga lojtarët më të mirë në fushë, duke këmbëngulur nga fillimi deri në fund, e duke qenë rrezik i vazhdueshëm për portën kundërshtare. Smoleviçi kaloi i pari në avantazh kur Vladislav Muhamedov shënoi në minutën e 55-të, pra në nisje të pjesës së dytë. Bakaj ndihmoi Dinamon në golin e barazimit, pasi ishte ai që ekzekutoi goditjen e këndit që solli goditjen me kokë nga Kiki.

Pavarësisht presionit të madh të vendasve në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi. Nuk dihet nëse Premier Liga bjelloruse do të vazhdojë, pavarësisht koronavirusit, por dihet që Dinamo e Brestit, ekipi i Bakajt, është një nga pretendentët për titullin.

Sfidanti.al