Futbollisti shqiptar Alioski – në shenjëstër të klubeve të mëdha evropianë

Futbollisti me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Ezgjan Alioski, vazhdon që të luajë shkëlqyeshëm në këtë sezon të kampionatit zviceran, duke u bërë, kështu, një nga lojtarët më të mirë të tij, dhe është pothuajse e sigurt se ai do të ndërrojë klub gjatë sezonit dimëror të ardhshëm të transferimeve. Sipas Dino Lambertit, trajnerit të Luganos, me të cilën luan Alioski, në lojë për të siguruar shërbimet të këtij futbollisti 24-vjeçar, pjesëtar të ekipit përfaqësues maqedonas, janë klube nga Gjermania, Italia dhe Anglia. Sidoqoftë, sikurse thuhet, më afër synimit të vet është Herta gjermane dhe, kështu, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, ka shumë mundësi që ky futbollist, gjatë këtij dimri, të shpërngulet për në Berlin. Herta, në fakt, aktualisht, ndodhet në vendin e tretë në Bundesligën gjermane dhe po lufton për një vend për në Ligën e ardhshme të Kampioneve të Evropës dhe ky ekip është treguar më konkret në ofrimin për të angazhuar Alioskin. “U befasova, kur pashë sesa menaxherë kanë ardhur për të ndjekur ndeshjet tona në Lugano. Në ndeshjet tona kanë qenë të pranishëm përfaqësues të ekipeve të tillë, si të Mançester Sitit, Liverpulit dhe të disa klube të Bundesligës, si edhe të Italisë. Kemi pasur oferta për Alioskin edhe nga Bazeli dhe nga një ekip belg, por, duke marrë edhe mendimin e vet atij, ne vendosëm që, tani për tani, të presim. Sidoqoftë, aktualisht, më konkretë në përpjekjet e tyre kanë qenë një ekip gjerman që lufton për titull në Bundesligë, një ekip nga Seria A italiane dhe një ekip nga Premier Liga angleze”, thotë trajneri Lamberti.

Sfidanti.al