Me gjasë, koha për t’u larguar ka shkuar një herë e përgjithmonë, dhe atij i mbetet të synojë rekordet më të shumta të mundshme. Robert Levandovski në 2017 ishte pranë Realit, të paktën me zemër, dhe me këmbënguljen e dy prej yjeve të mëdhenj madrilenë. Gazeta katalanase “Sport” e pyet sulmuesin e Bajernit për ftesën e Kristiano Ronaldos në 2017, për t’iu bashkuar Realit, dhe Leva përgjigjet shkurt me një “Po”. Pra, është e vërtetë.
Jo vetëm kaq, por edhe Sergio Ramosi u përpoq të ndikontë që sulmeuesi polak të kalonte nga Mynihu në “Santiago Bernabeu”. Në atë kohë, pati edhe një qejfmbetje të Levandovskit me drejtuesit bavarezë, ndërsa Rumenige i tha se nuk mund ta lejonte që të ikte. Vetë presidenti i Realit, Florentino Perez, nuk këmbënguli deri në fund, për hir të marrëdhënieve të mira që klubi i tij kishte me gjermanët, ndaj edhe transferimi nuk u krye.
“E sigurt që unë mund të shkoja në ndonjë klub të madh në Spanjë apo në ndonjë vend tjetër, – tha Levandovski për “Sportin”, – por, për mua kjo nuk ishte gjëja kryesore. Kudo ku të jem, unë përpiqem të arrij maksimumin. Këtë e bëj tek Bajerni. Unë jam në një nga klubet më të mëdhenj të botës, dhe jam shumë i lumtur. Skuadra jonë është në nivel tepër të lartë dhe është e lehtë të luash mirë në një ekip të tillë”.
Sfidanti.al