Ringjallja e Junajtidit edhe me ndihmën e legjendave, kthehet Kantona?!

Klubi i madh më në fund duket se po e merr kthesën që duhet. Edhe pse në periudhë pushimi të detyruar, sërish në Angli nuk harrojnë formën e shkëlqyer të Mançester Junajtidit kohët e fundit, pas triumfit 2-0 në derbin me Sitin e fitores 5-0 në Austri për Ligën e Europës, ndaj tifozët kanë shpresë se shpejt do të kthehen kohët e arta të Sër Aleks Fergusonit. Drejtuesit e klubit, pavarësisht se janë kritikuar shumë, po marrin disa vendime që duken për t’u duartrokitur, siç është mbështetja e trajnerit Solskjer, afrimi i lojtarëve si Bruno Hernandes apo Ighalo, si dhe afrimi i legjendave të vjetra në rolin e ambasadorëve.

Pas Brajan Robsonit dhe Denis Iruingut, ja ku vjen radha e Erik Kantonasë. i mbiquajturi “Mbreti” nga tifozët e “djajve të kuq” (Lë Rua-Le Roi, në frengjisht), Kantonasë pritet t’i ofrohet një rol ambaasdori, edhe pse kjo ende nuk ka ndodhur. Kjo lidhje e historisë me të tashmen, padyshim që pritet të ndihmojë, pasi Kantona përfaqëson një ish-kapiten që fitoi 4 tituj kampion, dy Kupa të Anglisë dhe 3 Superkupa, por më e rëndësishmja nga të gjitha, ishte udhëheqësi në fushë i skuadrës që fitoi titullin e parë pas 26 vjetësh.

Sfidanti.al