Edhe një ndeshje në dy ditë mund të mos mjaftojë në La Liga!

Presidenti i ligës profesioniste spanjolle të klubeve të elitës, Havier Tebas, nuk është optimist. Gjendja me epideminë e koronavirusit është e tillë që nuk jep shumë shpresë se kampionati mund të nisë shpejt, dhe ekziston frika se ai mund të anulohet fare, diçka që ka ndodhur vetëm në kohën e luftës civile në vitet 30-të. Gjithsesi, pas bisedimeve me 20 klubet anëtare të La Ligës, Tebasi përpiloi planin që ndeshjet të rifillonin (me kismet) diku nga mesi i majit. Nëse kjo do të jetë e mundur, atëherë do të duhet që skuadrat të luajnë shumë më shpesh se zakonisht, aq më tepër që do të jenë edhe ndeshjet e kupave të Europës. Mediat spanjolle njoftojnë se Lionel Mesi me shokë mund të jenë të detyruar të luajnë një herë në dy ditë, diçka aspak e lehtë, por që duket se do të jetë e vetmja zgjidhje, edhe kjo në dyshim. La Liga ka edhe 11 javë për të luajtur, është finalja e Kupës së Mbretit dhe janë garat europiane, ku marrin pjesë klubet spanjolle si Barcelona, Reali, Valencia apo Getafe.

Sfidanti.al