Bruno Fernandez cilësohet legjendë nga tifozët pas përballjes me Pepin!

Ultrasit i duan pikërisht kështu futbollistët e tyre, të aftë që të përballojnë rivalët, dhe të luftojnë fanatikisht me ta. Lojtarë të tillë janë gjithnjë në zemrën e tifozëve, pasi atyre nuk u pëlqen tolerance sidomos ndaj kundërshtarëve të derbit. Bruno Fernandez ia siguroi vetes një status kulti tek publiku i zjarrtë i Mançester Junajtidit, pasi u përball plot nerva me Pep Guardiolën, trajnerin e Sitit, madje i bëri shenjë me gisht në buzë që të pushonte. Portugezi nuk u tërhoq nga debati me fjalë me legjendën katalanase, duke treguar karakter.

“Bruno i thotë Pepit “ssssh”, ky njeri është tashmë një legjendë e klubit”, – shkruajti një tifoz në Tuiter. Ish-kapiteni i Sportingut të Lisbonës është bërë i adhuruar në “Old Traford” sepse është një luftëtar që luan me zemër, që nuk dorëzohet kurrë, dhe që jep shembullin e tij sikur të ishte edhe këtu një kapiten. Pas barazimit në fushën e Evertonit, javën e kaluar, ai u tha shokëve se “nuk mund të kënaqemi me barazimin, por duhet të kërkojmë fitoret”.

Sfidanti.al