Doni lajme nga Interi i Europës? Fitore, rotacion, jo dëmtime!

Antonio Konte mund të marrë frymë i lehtësuar, pasi qëllimit iu arrit. Duhej kualifikimi në Ligën e Europës, por duhej edhe kursimi i energjive për ndeshjen e së dielës në Torino ndaj Juventusit. Seria A është objektivi primar këtë sezon dhe shanset për titull janë, veçse nuk duhet të dështohet në “gojë të ujkut”. Në Ligën e Europës, u arrit fitorja ndaj Ludogorecit, që ishte 2-1 dhe me rezultat të përgjithshëm 4-1. Në rregull deri këtu, edhe për faktin se avantazhi i hershëm i bullgarëve u përmbys falë Biragut dhe (sërish) Lukakut.

Interi kontrolloi ndeshjen duke mbajtur ritmin me qëllim në nivele mesatare, për të mos lodhur lojtarët. Nuk pati dëmtime, ndërsa Konte realizoi edhe rotacion për ata lojtarë që mendonte se duhej të pushonin. Eriksen titullar, ashtu si Barela, Biragi dhe Aleksis Sançez që luajti mjaft mirë duke shërbyer topa të rrezikshëm për shokët. Barela nuk u lodh më shumë se 45 minuta, dhe 45 minuta në fushë i pati edhe Brozoviç, ndërsa pjesa e dytë u duk si një stërvitje, edhe për shkak se “San Siro” ishte pa tifozë.

Sfidanti.al