Bruno Fernandez, “arrogant” që i duhej Mançester Junajtidit!

Koha e thjeshtësisë ndoshta nuk ka ardhur ende, ose jo të gjithë kampionët mund të jenë modestë. Në pritje të ndonjë Havier Zaneti apo Bobi Çarltoni të ri, futbolli duhet ta kërkojë suksesin nëpërmjet yjeve që “e bëjnë gjoksin gropë” duke u mburrur. Kristiano Ronaldo është njëri prej tyre, por ja ku shfaqet edhe një tjetër, sërish nga Portugalia, dhe që vesh sërish një fanelë që dikur e ka veshur CR7-ta, Bruno Fernandez i Mançester Junajtidit.

Ish-kapiteni i Sportingut të Lisbonës e tregoi edhe një herë formën e tij udhëheqëse në fitoren 3-0 të “djajve të kuq” në Premier Ligë ndaj Uatfordit, sfidë në të cilën shënoi edhe golin e parë për skuadrën e tij të re. Portugezi realizoi me penallti në 42’, por dha shembullin në suksesin që u sigurua edhe me golat e Antoni Marsialit në 58’ dhe Mejzën Grinvudit në 75’. “Ai ka atë “esencë” arrogance që i duhet Mançester Junajtidit”, – ishte komenti i ish-sulmuesit Piter Krauç. Trajneri Ole Gunar Solskjer thotë se “ne shpenzuam 68 milionë paundë stërlina për Brunon, dhe kjo shifër është tepër e ulët për një lojtar të tillë, në tregun e sotëm të futbollit”. Junajtid ka shpresë se mund të arrijë Championsin, ndërsa ndodhet vetëm 3 pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Çelsi.

Sfidanti.al