Pas 4 golave ndaj Eibarit, “Mesi për president”!

Duhej dhënë shembulli i kapitenit, dhe njeriu që mbante shiritin nuk është se nuk donte ta jepte. Dëmtimi nuk e kishte lejuar Lionel Mesin që të shkëlqente ashtu siç di ai, edhe pse asistet kurrë nuk kishin munguar, por me t’u ndjerë mirë e tregoi veten. Katër gola ndaj Eibarit ishin si një britmë lehtësimi për lojtarin më të madh të botës, që në një ndeshje të vetme realizoi më shumë se 20 për qind të rrjetave të sezonit (ndërsa jemi në shkurt!).

Barcelona fitoi 5-0 duke golat e argjentinasit ishin tipikë të tij, sidomos dy të parët me driblime, këmbëngulje dhe shpejtësi vrapimi e ekzekutimi. Besohet se paraqitje mahnitëse e numrit 10 lehtësoi jo vetëm tifozët në “Kamp Nou”, që kuptuan se skuadra e tyre mund të quhet pretendente për tituj, por sidomos presidentin (ende në detyrë!) Bartomeu, për të cilin u kërkua dorëheqja nga tifozët me shami të bardha. Ku i dihet, disa fitore radhazi, shumë gola të Mesit dhe dorëheqja mund të harrohet.

Skuadra e trajnerit Kike Setien ka tani 55 pikë, me 62 gola të shënuar në 25 javë, pra në formën e saj normale, por gjithsesi duhet theksuar se kjo po arrihet vetëm falë Mesit. Në pritje të dueleve ndaj Napolit në Champions, dhe me konkurrencën e ashpër me Realin në La Liga, tifozët ishin të sigurt për diçka. Ashtu siç e theksoi gazeta “Marka”, dëshira e tyre ishte: Mesi për president!

Sfidanti.al