Udhëtimi drejt historisë vazhdon. Liverpuli padyshim synon të krijojë një epokë si ato të dikurshmet, apo siç pati Reali, Ajaksi, Bajerni, Milani apo Barcelona, dhe stacioni i radhës është Madridi. Pikërisht stadiumi ku fitoi Championsin sezonin e kaluar, ndërsa do të jetë përballë Atletikos, sonte në orën 21:00, ndërsa rifillon kompeticioni më i madh i klubeve në Europë.
Trajneri Jurgen Klop, për fat, nuk ka shqetësime të mëdha me dëmtimet, pasi vetëm Xherdan Shaqiri e Klajn mungojnë në apel. Liverpuli jepet favorit për të fituar, padyshim edhe për t’u kualifikuar për në çerekfinale, ndonëse Klopi e frenon entuziazmin.
“Atletiko e Simeones ka kohë që arrin suksese, ata kanë arritur shumë finale, ndërsa tani ishte koha për të ndryshuar, – u shpreh ai, – Kanë marrë mjaft lojtarë të rinj, me potencial, disa me përvojë, por kuptohet duhet kohë për t’u përshtatur. Unë sërish e shoh këtë skuadër si makinë rezultatesh, dhe çfarëdo që të ndodhë Atletiko do të jetë aty, pra e rrezikshme”.
Atletiko, sado e frikshme, nuk është në momentet e saj më të mira, pasi ka fituar vetëm 1 nga 7 ndeshjet e fundit të sezonit, ndërsa katër kanë dalë barazim. Gjithsesi, sulmuesi kryesor Diego Kosta duket se është gati pasi e kaloi dëmtimin më shpejt sesa parashikohej. Mungesat mbeten të rëndësishme, pasi ylli Zhoao Feliks dhe anglezi, Tripier janë të dëmtuar.
“Ne do të jemi përballë një skuadre të mrekullueshme, – u shpreh Simeone, – e stërvitur shumë mirë nga një trajner që është i veçantë dhe ka alternativa të veçanta në ekipin e tij. Gjithnjë është folur për skuadrat e mëdha, dhe nuk ka dyshim se Liverpuli do të mbetet në histori si një nga skuadrat e mëdha që ne kemi admiruar në të kaluarën. Kjo skuadër ka një ritëm shumë më të lartë, përshtatet më lehtë dhe kjo më bën që ta admiroj si një rival”.
Liverpuli mund të jetë kampion i Europës në fuqi, dhe finalist i dy edicioneve të fundit të Championsit, por gjithsesi duhet të bëjë kujdes. Atletiko, sidomos në fushën e saj, është në gjendje të bëjë mrekulli siç ka ndodhur ndaj Bajernit, Barcelonës apo Juventusit.
Sfidanti.al