Nuk ka fund lista për Kumbullën, Verona pranon ofertën 25 mln euro!

Trokitja e suksesshme erdhi nga Napoli, por i zoti i punës ende nuk ka vendosur. Mediat popullore pranë Interit tregojnë se Verona ka pranuar një ofertë prej 25 milionë eurosh të bërë nga Aurelio De Laurentis, presidenti napolitan, veçse Marash Kumbulla për momentin ka thënë “të presim”. Me gjasë, ai mund të jetë më shumë i interesuar për të ditur se çfarë do të bëjë Interi. Zikaltërit e Marotës dhe Antonio Kontes kanë qenë të parët ndoshta që e kanë vlerësuar, dhe projekti i tyre duket më bindës.

Njëzetvjeçari shqiptar duket ylli i momentit, dhe i ka të gjitha për të qenë lajmi i madh. Pas Dejan Kulushevskit që pranoi Juventusin, heroi i ri i Serisë A quhet Marash Kumbulla. Klubet në radhë për të duket sikur shtohen çdo ditë: Interi, Napoli, Juventusi, Lacio, Mançester Junajtid, Mançester Siti, Çelsi, Borusia Dortmund. Besohet se vlera e kartonit mund të rritet edhe më shumë, ashtu si edhe ofertat për rrogën e futbollistit. Për momentin, ai është i lidhur me kontratë me Veronën deri në 2022, ndërsa paraqitjet e tij deri tani kanë qenë pa të sharë, një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit.

Sfidanti.al