Paolo Tramezani nuk do të jetë më pjesë e kombëtares, dhe as drejtor i ekipeve përfaqësuese. Italiani ndoqi rrugën e tij, dhe pati nuhatjen e duhur për të kuptuar se çfarë do të ndodhte. Pasi punoi për 5 vjet me Xhani De Biazin, ai ishte i bindur se duhet të largohej nga Shqipëria, madje menjëherë pas finaleve të Euro 2016-ës. Trajnerë shqiptarë që ishin pranë tij gjatë kursit kualifikues që ai bëri në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë, tregojnë se italiani 46-vjeçar ishte shprehur se “ne e arritëm maksimumin tonë me Shqipërinë dhe vështirë të bëjmë diçka tjetër, në eleminatoret e Botërorit kemi mision të pamundur me Spanjën dhe Italinë”.
Kohët e fundit, presidenti Duka e kishte vendosur Tramezanin përpara alternativës: Ose drejtor teknik me banim në Shqipëri, ose nuk mund të jesh drejtor teknik. Paolo zgjodhi variantin e dytë dhe vazhdoi punën deri sa të gjendej një zëvendësues. Tani, Duka duhet të nxitojë për ta gjetur pasardhësin i cili, sipas burimeve pranë presidentit, do të jetë gjithashtu i huaj. Presidenti besohet se ishte i shqetësuar edhe nga rroga prej 10 000 eurosh në muaj e italianit, por që tani e tutje nuk do ta ketë këtë problem. Në FSHF duhet të plotësojnë stafin e De Biazit, pas largimit të Tramezanit, Bogdanit dhe Bushit.