Në Athinë e Lashtë, qytet-shteti i parë demokratik i njerëzimit, kishte vetëm diçka që nuk ishte demokratike, zgjedhja e komandantëve në luftë. Në futbollin e sotëm duket se po vijmë te kjo dilemë, pra nëse “komandanti në luftë”, trajneri, do të vazhdojë apo jo, të ketë të drejtën të bëjë zëvendësime sipas gjykimit të tij. Mauricio Sarri tek Juventusi po e vuan jo pak rebelimin e yjeve të tij kur ai vendos t’i nxjerrë nga fusha (ndonëse jo aq sa Tuheli me Mbapenë tek PSG-ja). Pas Kristiano Ronaldos e Dibalës, ja ku erdhi edhe ankesa e ashpër e Gonzalo Higuainit, që nuk e përtypi daljen jashtë.
Një opinion në “La Gazeta delo Sport” sikur i hodhi më shumë “benzinë zjarrit”. “Mos vallë nuk kanë të drejtë yjet të shprehin pakënaqësinë kur zëvendësohen”, titullohej opinioni. Pra, Sarri e Tuheli duhet të sillen në mënyrë “demokratike”, apo të vendosin vetë se kur dhe kë lojtar të nxjerrin nga fusha? Nëse yjet ankohen, kush duhet të vendosë për zëvendësimin e tyre? Ata vetë? Kjo, me gjasë, do të thotë se nuk do të dalin kurrë nga fusha apo nga formacioni! Trajnerët vërtetë jetojnë në kohë të vështirë, në kohë “rebelizmi”.
Sfidanti.al