Nuk dihet nëse do të mjaftojë për t’u kthyer në pretendime, por të paktën ishte një lehtësim. Partizani pati nevojë të jashtëzakonshme për një fitore dhe e arriti në një nga dy stadiumet ku mund të bëhej më lehtë, në atë të Gjirokastrës. Pa dashur të ulim vlerat e Luftëtarit, e ku tjetër mund të fitohej 3-0 nga një ekip që kishte humbur radhazi ndaj Tiranës, Teutës, Skënderbeut, Kukësit, madje edhe Besëlidhjes. Kampionët në fuqi të Shqipërisë realizuan me anë të Solomonit, Brojës dhe Melos, dhe suksesi mund të kishte qenë edhe më i thellë, veçse barazpesha u prish nga një gabim i portierit vendas.
Çfarë ndodhi që Partizani bëri kthesën? Ndoshta, ka nisur të japë fryte puna e trajnerit Sormani, që ka rreth 1 muaj në detyrë. Po ashtu, mund të ketë ndikuar presioni i presidentit Demi që kërcënoi me gjoba, por besohet se edhe lojtarët e Partizanit kanë reaguar për vetë sedrën e tyre. Jo më kot janë kampionë, dhe ndër më të paguarit në Shqipëri. Në Gjirokastër u dalluan, Çinari, Broja apo Telushi, por fitorja ishte e gjithë ekipit. Me këtë sukses, Partizani u ngjit në kuotën e 31 pikëve, ndonëse ende larg Kukësit apo Tiranës. Për trajnerin italian Sormani, kjo ishte fitorja e parë, e arritur në ndeshjen e katërt në stol, tri prej të cilave në Superligë.