Mirandes në dashuri me Kupën, Kategoria e Dytë mund Seviljen!

Kategoria e dytë spanjolle u largua me nder nga Kupa e Mbretit, por jo e gjitha. Pasi Tenerife, Rajo Vajekano, Saragoza e Osasuna u eleminuan, mbeti në lojë Mirandes dhe ishte pikërisht kjo që e mbrojti nderin e kategorisë. Fitorja 3-1 ndaj Seviljes në stadiumin “Anduva”, në prani të 4 500 tifozëve, ishte e shkëlqyer, një tjetër tregues i qartë se ç’mund të bëjë një kompeticion me një ndeshje të vetme, sidomos kur kjo luhet në fushën e “Davidit”.

Mateus shënoi dy herë në pjesën e parë dhe Rej në minutën e 85-të, për t’i dhënë epërsinë 3-0 ekipit të qytetit Miranda de Ebro. Një gol i Nolitos në sekondat e fundit nuk mjaftoi as për t’i shpëtuar nderin klubit të La Ligës dhe trajnerit të saj, Hulen Lopetegi. Mirandes do të jetë në çerekfinale bashkë me Realin, Barcelonën, Valencian, Vijarrealin, Sociedadin, Granadën dhe Bilbaon. Mirandesi është mësuar me mrekullitë në Kupën e Mbretit, dhe gazeta “Marka” shkruan për 8 të tilla, duke eleminuar Sociedadin, Vijarrealin, Santanderin, Espanjolin, Malagën, Deportivon dhe Seltën, kur kanë qenë klube të La Ligës. Në 8 vitet e fundit ka arritur 3 herë në çerekfinale.

Sfidanti.al