Në këtë ligë ka edhe heronj që mund t’i quajmë të heshtur. Të tillë si Kris Midëllton, i cili luan çdo tre ditë nën hijen e kapitenit Janis Antetokumbo, por që pret me durim rastin e tij. Kjo mundësi iu dha ndërsa Miluoki luajti ndaj Uashingtonit në NBA, dhe Antetokumbo nuk mundi të dilte në parket. Asnjë problem që ylli kryesor mungoi për dëmtim në shpatull, sepse Midëllton luajti sikur të ishte ai Antetokumbo, duke vendosur rekordin e karrierës.
Realizoi 51 pikë, por edhe kapi 10 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Midëlltoni 28-vjeçar u tregua tepër i saktë në gjuajtje, qoftë për dy pikë, apo për ato nga distanca, , ndërsa nuk gaboi asnjë gjuajtje personale. Gjithë Miluoki dha më shumë se 100 për qind për të zëvendësuar Antetokumbon dhe ia doli me sukses, siç e tregon fakti se shënoi 88 pikë në gjysmën e parë të ndeshjes, një rekord për klubin.
Bashkë me Midëlltonin, shkëlqyen Erik Bledsou me 34 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë, si dhe Donte DiVinçenso me 16 pikë e 7 topa në tabela. Miluoki fitoi 151-131, në një ndeshje tipike ofensive të basketbollit amerikan. Në pritje të Antetokumbos, skuadra e Amerikës Verilindore ka bilancin më të mirë të NBA-së me 41 fitore e 6 humbje, duke qenë në krye të Konferencës Lindore.
Sfidanti.al