“Ballistët” nuk janë të vetmit kundër Maqedonisë, në Shkup përkrahin Kosovën!

Jetojnë në një shtet, por janë jo pak të ndarë. Tifozët e Shkëndisë së Tetovës, të njohur me emrin Ballistët, kanë vendosur prerë se në krah të kujt do të jenë në 26 mars, kur Maqedonia e Veriut të presë Kosovën në Shkup, në gjysmëfinalen e plej ofit për në Euro 2020.

Tifogrupi nuk pati asnjë dyzim kur deklaroi hapur në rrjetet sociale se do të shkonte në Shkup për të përkrahur Kosovën, në vijim të misionit për të luftuar për shqiptarinë. Në deklaratë nuk mungoi theksimi racist kundër sllavëve, diçka që përfshin maqedonasit e veriut, por edhe serbë, malazezë, kroatë, bullgarë, çekë apo rusë.

Nuk mungoi reagimi sidomos në mediat serbe, por padyshim edhe në ato maqedonase. “B92” nga Beogradi shkruan se shqiptarët do të mbështesin Kosovën në mes të Shkupit, duke theksuar se “bashkimi bën fuqinë”. Edhe media tjetër serbe, “Lajmet 66 vjet”, thekson se lajmërimi i Ballistëve shkakton incident, dhe se ata do të jenë në stadium bashkë me grupimin “Dardanët” nga Kosova, ndëra biletat me gjasë do t’i marrin nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Sipas medias së Maqedonisë së Veriut, “Sloboden Peçat”, tifo grupi shqiptar i Shkupit, me emrin “Shvercerat” nuk do të përkrahin në mënyrë të organizuar Kosovën, por tifozët mund ta bëjnë këtë në mënyrë individuale ose në grupe.

Kjo nuk është diçka e re, dhe nuk bëhet vetëm nga shqiptarët. Pak muaj më parë, hendbollisti i Vardarit, Stojançe Stoilov braktisi ceremoninë e sportistit më të mirë të Maqedonisë së Veriut, duke u ndjerë i turpëruar dhe i ofenduar sepse disa nga pjesëmarrësit fitues aty folën në gjuhën shqipe. Stoilov është nga ata që nuk kanë pranuar ndryshimin e emrit dhe e quan vendin e tij thjesht Maqedoni.

Kosova do të luajë ndaj Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Toshe Proeski” të Shkupit në 26 mars, në një gjysmëfinale të vetme, dhe fituesi luan finalen ndaj fituesit të çiftit tjetër, Gjeorgji-Bjellorusi në 31 mars, për një vend në fazën finale të Euro 2020-ës.

Sfidanti.al