Një rekord botëror edhe në shah, Karlsen ka 111 ndeshje pa humbje!

Jemi mësuar me rekordet botërore në atletikë, në not, apo edhe në rezultatet e skuadrave të futbollit, si dhe në NBA. Gjithsesi, edhe një sport në dukje i mërzitshëm si shahu ka rekordet e veta. Natyrshëm, që ato i vendosin më të mirët dhe sot numri 1 në botës, si dhe kampion i rruzullit është norvegjezi Magnus Karlsen. Në moshën 29-vjeçare ai arriti serinë e 111 ndeshjeve radhazi pa humbje, duke kaluar rekordin që mbanin Bogdan Laliç i Kroacisë dhe sovjeto-holandezi Sergej Tivjakov me 110 të tilla.

Karlsen është kampion i  botës që nga viti 2013, mbiquhet “Moxarti” i shahut, dhe është shumë i përgatitur nga ana fiziko-atletike. Ai ka koeficientin elo 2872, vetëm 10 pikë poshtë nivelit të tij më të lartë (2882). Norvegjezi është krahasuar me legjendat e shahut si Anatoli Karpov, Bobi Fisher apo Gari Kasparov, ndërsa theu rekordin e këtij të fundit për koeficientin Elo, duke kaluar nivelin 2851. Gjithsesi, Kasparovi mbetet rekordmen sepse ishte numri 1 i botës nga 1986 deri në 2005, duke qenë në krye për 225 nga 228 muaj.

Sfidanti.al