Nuk ishte gjë e vogël suksesi ndaj Uolvesit, edhe pse u luajt në “Old Traford”. Siç e ka treguar në Ligën e Europës dhe në Premier Ligë (së fundi në “Anfild” ndaj Liverpulit), skuadra e trajnerit Nunjo Espirito Santo është rival i vështirë për të gjithë dhe kështu doli edhe për Mançester Junajtidin. Lehtësim i madh për fitoren 1-0 ndaj “ujqërve” me gol të Huan Matës, në një mbrëmje të lodhshme në Kupën e Anglisë. U desh ndeshja e dytë, ajo përsëritëse, që “djajtë e kuq” të arrinin në turin e katërt, në të 16-at e finaleve.
Gjithsesi, trajneri Ole Gunar Solskjer, nuk di nëse duhet më shumë të gëzohet për fitoren, apo të hidhërohet për dëmtimin e sulmuesit kryesor, Markus Rashford. Nuk dihet sesa do të mungojë djaloshi i ri, por sado pak, do të prishte shumë punë pasi në fundjavë Junajtidi shkon të luajë në “Anfild” ndaj Liverpulit në Premier Ligë. Përsa i përket golit të Matës, ai ishte mjaft i bukur, dhe spanjolli shfrytëzoi qetësinë dhe klasin e tij, jo shpejtësinë që nuk e ka pasur ndonjëherë pikë të fortë. Është për të ardhur keq që ky lojtar sot në moshën 31-vjeçare erdhi tek Mançester Junajtid nja 6 muaj pasi u fitua titulli i fundit me Sër Aleks Fergusonin. Mëkat që atë e zuri periudha e “tranzicionit”.
Sfidanti.al