Çfarë i duhej Interit që të fitonte në Napoli pas 22 vitesh? Konte dhe LuLa!

Lumturia e Juventusit zgjati pak, ndonëse “Zonja e Vjetër” nuk mund të thuhet se është e mërzitur. Gjithsesi, dëshira e shprehur me zë të lartë nga Kristiano Ronaldo që Interi të humbiste, nuk u realizua pasi “korracata zikaltër” kaloi pa u ndalur edhe në “detin e Napolit”. Kishte 22 vjet që një skuadër interiste nuk fitonte në stadiumin “San Paolo”, pra që nga koha e Fenomenit Ronaldo, por tashmë milanezët kanë disa fenomenë të tjerë. Në stol kanë Antonio Konten, trajnerin me “prekje magjike” që po e mban Interin kryesues, siç nuk kishte qenë për 10 vjet.

Në fushë kanë dyshen e sulmit, Romelu Lukau e Lautaro Martinez, të njohur shkurt si LuLa. Ishin golat e tyre që sollën suksesin 3-1 në fushën e Napolit të Gatuzos, që humbi një tjetër derbi me zikaltërit, por tashmë jo si lojtar apo trajner i Milanit. Me këtë sukses, skuadra e Kontes u kthye në krye të Serisë A, me 45 pikë po aq sa Juvja, por me golaverazh më të mirë. Lacio duhet të jetë e kënaqur për momentin me vendin e tretë dhe me 39 pikët. Problemi i vetëm i kësaj të hëne për interistët ishte nga kartonët e verdhë të Barelës dhe Shkriniarit, që nuk do të luajnë ndaj Atalantës. Në “San Siro” do të duhet një tjetër mrekulli e Kontes dhe e dyshes LuLa, madje më e madhe sesa kjo në “San Paolo”.

Sfidanti.al