Lumturi e Arsenalit, nga fitorja në Kupë, te “deklarata e dashurisë” e Obamejangut!

Sezoni ka qenë tepër i vështirë, dhe frika ishte e madhe nga një dështim ndaj Lids Junajtidit. Ndihej në ajër që “banda” e Marselo Bielsës do të vinte në “Emirejts” me moral të lartë dhe ide të qarta për t’u kualifikuar në Kupën e Anglisë, ndërsa Arsenali ndoshta kishte ndonjë rezervë. Sidoqoftë, të besuarit e trajnerit Mikel Arteta, ditën të vuanin dhe të fitonin, ndërsa në fushë ishte pak a shumë formacioni më i mirë. Xhaka, Papastatopulos, David Luiz, Kolashinac, Pepe, Ozil dhe Lakazetë, ndonëse Obamejang ishte lënë plotësisht pushim. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Nelson në pjesën e dytë.

“Trajneri na bërtiti fort në pushim sepse ishte i pakënaqur me ne, – tregoi sulmuesi Lakazetë, – ai na kishte thënë se Lidsi do të luante fort, por ne nuk i dëgjuam këshillat e tij”. “Jam i lumtur me fitoren, – ishin fjalët e Artetës, – por, duhet të them se patëm dy fytyra të ndryshme, një në pjesën e parë, dhe një në të dytën. Në 32’ në pjesën e parë fituam vetëm një duel. Më vjen mirë që lojtarët e mi morën një leksion në fushën e lojës”. Për Arsenalin ka edhe një lajm tjetër të mirë, përveç fitores në Kupë. Sulmuesi kryesor, Obamejang, deklaroi se nuk mendon për t’u larguar. “Jam 100 për qind i përkushtuar ndaj Arsenalit, – deklaroi ai në rrjetet sociale, – mezi pres të luaj dhe të ndihmoj ekipim për t’u ngjitur aty ku i takon”. Obamejangu ende nuk ka rinovuar, ndërsa për të interesoheshin Interi apo Barcelona.

Sfidanti.al