Kur je 34 vjeç dhe i afrohesh të 35-ve, nuk është e lehtë të mbash ritmin e lartë për një kohë të gjatë. Lebron Xhejmsi e ka pranuar se trupi i tij ndihet “për dreq” pas çdo ndeshjeje të NBA-së, por një profesionist i madh si ai, di të sfidojë edhe moshën. Shkëlqimi i “Mbretit të basketbollit” u duk edhe një herë shumë qartë në përballjen e Lejkërsave me Feniksin, ku Lebroni realizoi një tripëll dabëll. Shënoi 31 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 12 asistë. Përtej kësaj, pati edhe dy vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Lejkërsat u mbajtën deri në fund duke fituar 117-107, ndërsa Entoni Dejvis po ashtu ishte lart me 26 pikë e 11 topa në tabela. Lejkërsat janë në krye të Konferencës Perëndimore me 27 fitore e 7 humbje.
Skuadra nga Kalifornia po zhvillon një duel në distancë me Miluokin dhe Janis Antetokumbon, që janë më të mirët në Konferencën e Lindjes. Miluoki arriti një fitore tepër të vështirë, 106-104 ndaj Minesotës, edhe pse luante në fushën e vet, dhe Antetokumbo ishte njeriu kryesor që nuk lejoi humbjen. Ai pati 32 pikë, 17 topa në tabela, dhe 4 asistë. Antetokumbo u paraqit mirë në gjuajtjet nga loja, por dobët në gjuajtjet e lira (3-8). Plot 10 lojtarë të Miluokit shënuan, ku Midëlton arriti në 13, Bruk Lopez në 11 dhe Bledsou në 10. Baksët kryesojnë në Lindje me 31 fitore e 5 humbje.
Sfidanti.al