Lampard besohet se është bërë armik me Murinjon, i kujton Salahun e De Brujnin

Fjalët e mira nuk munguan as përpara, dhe as pas ndeshjes. Frenk Lampard e pati “mjaltin” për ta nxjerrë nga goja për Zhoze Murinjon, por kur filluan temat konkrete, puna ndryshoi, madje kryekëput. Trajneri i sotëm i Çelsit nuk i kurseu shigjetat për ish-teknikun, ndërsa kujtoi “yjet e mëdhenj të dikurshëm që nuk u mbështetën kur ishin të rinj”. “Nëse ne nuk do të jemi të durueshëm dhe nuk mbështesim lojtarët, – tha Lampsi, – atëherë do të biem sërish në të njëjtën situatë ku ishim më parë, kur lojtarë absolutisht të klasit botëror ishin tek Çelsi në moshën 20-21-vjeçare, dhe trajnerët nuk i mbështetën sa duhet”.

Dy lojtarë të klasit vërtet botëror, që ishin tek Çelsi dhe nuk u mbështetën sa duhet, ishin Mohamed Salahu dhe Kevin De Brujni. i pari u “degdis” tek Roma për 12 milionë paundë stërlina, por u “peshkua” shpejt nga Jurgen Klopi tek Liverpuli për 36 milionë, dhe sot është një superyll i kampionëve të Europës dhe kryesuesve të Premier Ligë. De Brujni u largua për tek Volfsburgu për 18 milionë paundë stërlina, ndërsa më pas e mori Pep Guardiola tek Siti, duke paguar 55 milionë. Ai sot është një nga shtyllat e kampionëve të dyfishtë të Anglisë. Lampard e pati fjalën kryesisht te kritikat për të rinjtë e sotëm të Çelsit si Abraham, Hadson-Odoi apo Tomori, të cilët kohët e fundit sikur nuk e përballuan stresin e madh të Premier Ligës.

Sfidanti.al