Në vitet 2004-2007, kur drejtonte Çelsin, “Speciali” veçonte një lojtar si më të mirin me të cilin kishte punuar, Frenk Lampardin. Kështu mendonte Zhoze Murinjo edhe kur ishte tek Interi, e ndoshta vetëm Kristiano Ronaldo mund t’ia ketë ndryshuar bindjen. Gjithsesi, sot kjo dyshe është kthyer në nga miqësore në rivale. Nëse në “Stemford Brixh” luftonin së bashku për të njëjtët trofe, sot sërish kanë të njëjtat synime, veçse janë përballë!
Përveç një shtrëngimi duarsh në fillim dhe në fund, nuk pati ndonjë dakordësi tjetër mes tyre, ndërsa pamja e tensionuar e fytyrave fliste qartë. Ata nuk shihnin më tek njëri tjetri mikun, por armikun. Në përfundim të takimit, Murinjo kritikoi stilin e lojës së Totenhemit, skemën 3-4-3, duke kujtuar se ajo kishte qenë skema e Antonio Kontes. “Unë nuk kopjoj askënd, – ishte përgjigja e trajnerit të Çelsit, – skema e Kontes ishte e shkëlqyer dhe Çelsi fitoi titullin, por unë bëra lojën time, pasi kështu e gjykova më mirë ndaj Totenhemit”.
Të dy u përplasën në distancë edhe për kartonin e kuq të koreanojugorit Son. “Duhej të kishte qenë karton i verdhë për Rydigerin, – tha Murinjo, – ai e ekzagjeroi, me siguri do t’i jetë thyer ndonjë brinjë”. Lampardi u përgjigj shkurt se “ishte karton i kuq, Rydigeri nuk mund të sillej ndryshe”. E vetmja gjë për të cilën ranë dakord, ishte dënimi i racizmit ndaj Rydigerit nga disa tifozë të Totenhemit.
Sfidanti.al