Bundesliga qenka më e lehtë për Zirkzenë sesa liga e tretë!

Në moshën 18-vjeçare theu një rekord të kampionatit gjermane. Xhoshua Zirzke pati nevojë vetëm për 3 minuta për të shënuar dy gola në Bundesligë, kjo e ndarë në dy ndeshje (Frankfurt e Volfsburg), dhe ai la pas ish-rekordmenin Videner (Verder Bremen), të cilit iu deshën 8 minuta. Gjithsesi, kontrasti është i madh kur mëson se po ky Zirkze nuk ka arritur ende të shënojë gol për Bajernin U23 në Bundesligën e tretë, ndonëse aty ka luajtur 13 ndeshje. Natyrisht, ai është më i ri se të tjerët, por çfarë mund të thuash kur luan në ekipin e parë?

Askush nuk e di se çfarë mund të thotë adoleshenti holandez, sepse atij i janë ndaluar intervistat nga ana e Bajernit. Me siguri, klubi ka frikë se ndikimi mediatik mund t’i prishë punë dhe ta ç’ekuilibrojë. Drejtori Salihamixhiç thotë se “ai e di se ka të ardhme të madhe, por duhet të punojë fort për ta arritur”. Xhoshua tjetër, Kimih, e lavdëron Zirkzenë duke thënë se “kjo që po bën ai është çmenduri, na shpëtoi dy herë dhe na dha pikët që na duhen për luftën për titull”. Karl-Hajnc Rumenige e kishte paralajmëruar që në fillim të dhjetorit se “shumë shpejt, tek Bajerni do të shkëlqejnë talentet e Akademisë”.

Sfidanti.al