Ikardi papritur nis të bëhet i kërkuar, garë treshe për yllin!

Largimi nga Milano i ka bërë mirë, pasi në Paris pati një “fillim të ri”. Kampionët e Francës e morën në kohë Mauro Ikardin, pikërisht në sezonin kur “Matadori” Edinson Kavani nisi të ndjejë peshën e moshës dhe të dëmtimeve. Argjentinasi i ardhur nga Interi ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje në Ligën e Parë franceze, dhe huazimi deri tani ka qenë një sukses i bujshëm. Duke pasur Ikardin në dispozicion, trajneri Tuhel ka pasur më pak frikë kur i janë dëmtuar Nejmar apo Mbape, pasi ish-kapiteni i Interit mund të garantojë golat, edhe pse ndoshta jo klasin teknik të dy të tjerëve.

Lajmet nga PSG-ja janë që drejtuesit gjykojnë se mund ta shfrytëzojnë paramarrëveshjen me Interin për ta marrë kartonin e Ikardit për gati 70 milionë euro. Në epokën e blerjeve mbi 100-milionëshe, kjo shifër duket mëse normale. “Shënimi i golave është natyral për mua, – thotë 26-vjeçari, – unë përpiqem gjithnjë të jem në pozicionin më të mirë, jam i përqëndruar dhe jam si një “vrasës”. Shumica e golave që kam shënuar janë të përafërt, ky është stili im”. Gjithsesi, Paris SG do të ketë konkurrencë, pasi gruaja e Ikardit, Uanda Nara, mendon se mund të ketë të interesuar të tjerë. “Fiksim” i çiftit Mauro-Uanda janë Juventusi dhe Reali i Madridit.

Sfidanti.al