Barça “pa bateri”, do kishte dashur ta kishte luajtur El Klasikon në tetor

E planifikuar ishte për në datën 26 të muajit të 10-të të vitit. Ndeshja më e madhe e Spanjës dhe e Europës u shty dhe duket se yjet e Barcelonës i kishin bërë llogaritë gabim. Nuk dihet se çfarë kishte ndodhur, por mbrëmjen e së mërkurës në “Kamp Nou” ata ishin thuajse të shuar, me “bateri të rëna”, dhe Reali bëri çfarë deshi me përjashtim të golit.

Mediat spanjolle shkruajnë se yjet katalanas e kishin shqetësimin që përpara ndeshjes, pasi e dinin se fizikisht nuk ishin mirë. Nuk bëri punë as që kishin pasur një ditë më shumë pushim sesa Reali, as që në Champions ndaj Interit luajtën gati me ekipin B. Mesi i fushës u duk i pafuqishëm derisa hyri Vidali, Mesi e Suarez ishin larg njëri-tjetrit, ndërsa Grizman jashtë loje. Për fat, u shmang humbja, por përshtypja e tifozëve nuk ishte aspak e mirë dhe trajneri Ernesto Valverde e ndjeu sërish rrezikun.

Sfidanti.al