Kur sheh rezultatin, duket si një rutinë, pra Liverpuli që fiton 2-0 në fushën e Salcburgut dhe kualifikohet për në turin e dytë të Championsit. Skuadra e Jurgen Klopit u duk sikur kishte bërë shaka deri tani, duke vënë veten në diskutim për t’u bërë kampionia e parë e Europë që eleminohet në grupe që kur kjo i ndodhi Çelsit në 2012. Nabi Keita dhe Mohamed Salah shënuan në 120 sekonda, në minutat 57 e 58, për t’i dhënë suksesin e merituar anglezëve.
E vërteta është që Liverpuli vuajti shumë për t’ia dalë, se Salcburgu ishte në ndeshje për gati një orë, dhe se u godit pa kthim nga dy golat e shpejtë. E qartë që Klopi e ka bërë ekipin e tij që të mësohet me vuajtjen. Që nga portieri Alison, mbrojtësit Van Dajk e Lovren, lojtarët e krahut Aleksandër-Arnold e Robertson, por edhe mesfushorët e qendrës Vajnaldum e Henderson, pa harruar të tjerët, që të gjithë treguan se Liverpuli di të mbrojë po aq mirë sa të sulmojë. Për më tepër, në fushë ishte treshja e madhe e sulmit, Salah-Firmino-Mane, që nuk ia ka shumë zilinë treshes së Barcelonës, MSG (Mesi-Suarez-Grizman).
Salcburgu ngjau shumë me Ajaksin e vjetshëm, duke luajtur mirë në pjesën e parë. Haland iu afrua golit që në sekondat e fillimit, ndërsa në minutën e 7-të mund të ishte dhënë një penallti për vendasit, veçse loja vazhdoi dhe Minamino detyroi Alisonin të bënte një pritje të madhe. Më pas edhe Liverpuli pati rastet e veta dhe u mbajt deri në fund. Në ndeshjen tjetër të grupit, Napoli fitoi 4-0 ndaj Genkut. Bashkë me kualifikimin, të kuqtë shmangën në short edhe Paris SG, Juventusin, Bajernin e Barcelonën, të paktën në turin e dytë.
Sfidanti.al